ZHGËNJIM
Kush fjalës "të gënjyer",
I vuri një "zh" përpara?
Kush plumbit të zjarrtë
I vuri majën e artë?
Kush u përcoll i pari
Me këtë dhimbje varri?
Kush mbeti pa mësuar
Nga kjo nëmë e mallkuar?
Kush s'u zhgënjye?
Kush?
Përgjigje s'marr.
E di, s'jam i zhgënjyeri i parë.
BRAKTISJE Një ëndërr veç të tjerash
Më shfaqet çdo agim.
E bardhë, e brishtë, e afërt,
E qeshur trëndafil.
E thjeshtë, e ngatëruar,
E artë e praruar,
Si dritëz nis ndriçon...
Unë vrapin marr drejt saj
Ajo nga yjet më vështron.
Me mund,
Nga pas,
E ndjek në fluturim,
Në një fluturim pamabarim.
Mbeta mes ëndrrash i shastisur,
Renda mes yjesh
Si hamshor i hasdisur,
Por më kot,
Dhe sytë m'u mbushën me lot,
Me lotë që të gjitha i gryen në letër,
Shtojzavallë e pikëllim.
Ato që më tha me sytë e saj të trishtuar:
"Unë ëndrra jote
Jam realiteti i një tjetri,
O ëndërrimtari djalë."
E grisa letrën në heshtje,
Mes hidhërimit,
Dhe ëndrra iku u tret mes agimit.
Më mungonSa herë më mungon e ku të të gjej s'di,
Unë zgavër bëhem, unë vdes nga brenda,
Por jo e dashur, për këtë nuk ke faj ti,
As rrahjet e zemrës gjithnjë e më të rënda.
Më do e të dua deri në marrëzi,
Ti sheh nga unë, unë tek ty renda,
Më buzëqesh e dashur me çiltërsi,
Por dije se deri në tmerr u tremba.
Drita e syve të ty në sytë e mi,
Të betohem më është më e shtrenjta,
Gjithçka tek ty e dashur është mrekulli,
Që unë e kam pak orë, pastaj-ëndrra.
E di, një ditë do më zhduket kjo mërzi,
Nuk të harroj, në vete do ndrydh plot ndjenja,
Më fal për gjithë ato vështirësi,
Por pa ty në mëndje një hap nuk bëja.
"Të dua shumë", më thuaj me fshehtësi,
Pranë teje pranverë më çel zemra,
Por ngatëruar është kjo botë me djallëzi,
Që kur bashkë mos jemi të vdes nga brenda.
E PRES
E ndiej si nëna fëmijën e saj, erdhi Pranvera!
Malit plak, festja e bardhë e borës mbi sy i ra,
E mullarët mbetën përdhe si mollë të kafshuara;
Me tinguj të ëmbël, ngjyra të çelura u mbush natyra.
Si grahmat e fundit le të ikë Pranvera,
Se njëra që shpirti ma di sa e doja pa shpresë më la,
Njëlloj si manushaqen e brishtë kur e mbyt vapa,
Dhe ndonse shumë thonë "po", të ketë vërtet të tjera?
E di si akujt e shkrirë, përsëri do vijë Pranvera,
Syri të shohë atë që s'guxoi e kurrë se pa:
Lotin e hidhur që tok me vesën mbi zambak u tha,
Kur përhumbshëm mallin, burbuqet ledhatonte era.