Nga një kënd i dheut!Vetëm një gjë kam frikë: a do të mundem unë të shpreh një pjesë të dashurisë sime për Safolinën time, për Lirinë, për Jetën, për Lumturinë? Se të them të vërtetën: vullkan më është bërë Dashuria, për goçen time! Në orët e agonisë, në çastet kur Mortja më rrinte pranë dhe më kërciste dhëmbët e saj duke më tallur “I mjeri ti! A je gati? Ja edhe pak çaste dhe mbarove!... Unë ekzaminoja me qetësoi ndërgjegjen time dhe thoshja: “A e kam dashur sa duhet goçen time? A e kam përkëdhelur dhe a i kam dhënë ndopak lumturi me nisjen e romanit tim që po mbaron me një dramë nga më të ngjethshmit e jetës? Sytë e goçes sime më shikonin dhe më depërtonin gjer në palcën e fuqive të mia të pakta që kishin mbetur… më shikonin dhe më shikonin or’ e çast, pastaj ktheheshim me kërcënim drejt Mortjes që më rrinte pranë: Ah se ç’duel midis syve të jetës dhe syve të mortjes! “Mortja thosh: unë e dua më fort se ty! Dhe do ta marrë! Shikoje se si e kanë katandisur! Tani më përket mua!”. Dhe fuqia e syve të jetës, syve të ëmbla dhe të fuqishme të goçes sime thoshin: “Asgjë, asnjë fuqi në botë, as edhe ti o mortje nuk do t’arrish të ma marrësh se e kam timen, unë jam ay dhe ay është unë! Nuk e sheh se me mua rron! Nuk e sheh se si flet me mua! Asgjë nuk e ndalon të rroj me mua! As hekurat, as torturat, as uria, as etja, as zjarri që e djeg trupin... as edhe kërcënimi yt… Shikoje! Ti sa ditë ke që i rri pranë, po ay rron për mua dhe me mua! Ik o Mortje, e mos e lodh kot, ndonjë ditë eja të na marrësh të dy se kështu, po vetëm kërmat tona se Dashuria dhe zemra dhe shpirti ynë do të mbetet me shekuj si një kushtrim kundër teje dhe agjentëve të tu, do të oshtijë në hapësirën e çdo gjenerate si një mallkim kundër teje dhe armatës s’ate të zezë dhe ahere miliona sy, sy si të miat, sy –Dashurie jete, lirie, krijimi dhe lumturie do ta ndriçojnë, jo vetëm këtë kënt të dheut, por tërë dhenë me tërë shekujt... atëherë do ta votojë flamuri i përjetësisë së Dashurisë dhe mbretëria jote do të ketë marrë funt!Të gjithë kanë kënduar Dashurinë! Unë vet kam thur në dy vargje te “Horizonti në kuletë!, gjersa të fryjë era e jetës do të çalojë Flamuri i Dashurisë!”. Po tani vjen pyetja: A ka fryrë era jetës për mua në këto biruca, në këto hekura e tortura për 19 muaj duke patur vdekjen pranë?- Po! PO, o ylli im! Si ti më ke qenë më pranë! Ti pate fuqi më të madhe se Mortja! Se këtë nuk e dija kurrë! Dhe po të mos kish ngjarë kjo tragjedi, nuk do ta dija kurrë! Prandaj ta shkruaj. Po ti ç’do të bësh tani! Përgjigje nuk do të marr se jeta ime akoma pak orë ka! Pastaj!! Pastaj!! Ti ç’do të bësh? Ah, sa dua ta di! Pastaj të vdes i qetë! Ti çdo bëhesh!... pa shih këtu bëhem hipokrit dhe nuk guxoj të të pyes (Sa keq! Unë kurrë s’të kam fshehur gjë! Thonë disa se nuk thuhen të gjitha, se ka edhe ca gjëra që nuk thuhen. Jo unë jam i çmendur, sidomos tani që jam bërë skelet. Ti ç’do të bësh? Do të mbash disa ditë, javë, orë, muaj zi… pastaj do të përkëdhelesh nga duar të tjera! Jam i lik! Jam shumë i lik që mejtoj kështu! Unë mbarova! Tani vojtjet dhe torturat më kanë bërë si kafshë! Po vetëm Dashuria jote më mban! Ajo më ka bërë jetën të ëmbël në këtë skëterrë që nuk përshkruhet dot! Ja një zbulim i vërtetë! Sa e fortë është dashuria! Më parë kur torturohesha thosha: jam një hero! Populli e di që vuaj! Vuaj për të! Luftoj për lirinë! Më rrahin xhelatët! Më mbysin njerëzit e errësirës? Po jam një hero! …Po tani? Tani një tjetër fuqi më e madhe, një fuqi mbinjerëzore më mban të gjallë dhe më bën hero kundër vdekjes, kundër gënjeshtrës: Dashuria jote! Ah sa i lumtur që jam! Se e di që ti më Dashuron! Prandaj të dua……
Bisedime me Safolinën-Takimi i parëShekuj a çaste kanë kaluar, këtë nuk ësht’ë e mundur ta përcaktoj! Po vetëm një gjë është e vërtetë që unë digjem nga malli, sa them shumë herë “mor po ta shoh një herë, pastaj le të vdesë!” se merr me ment: or’ e çast - për kaqë shekuj të qaj, e të qesh me ty dhe tërë këjo jetë lark teje, vetëm në fantazi, vetëm duke përsëritur e ripërsëritur çapat që këmbët tona linin në hapësirën e bardhë të një lumturie që jetonim, po që nuk çmonim! “Ta shoh një çikë, pakëz ti shoh sytë e saj, për së gjalli! A do ta kem këtë fat?” - Se tërë forca e dëshirave të mia e ëndrrave të mia të fundit përsërisnin or’e çast: “Ta shikoj edhe një herë para se të vdes!”. …Unë dua të të shoh një herë, vetëm një herë - me kusht që ti të mos më shikosh mua - se e di që duke të parë ty do të kuptoj më mirë se sa e dhembshur është jeta, sa e shtrenjtë është jeta, sa e shenjtë, madhështore, hyjnore… është jeta! Sa vlen jeta! Sa kuptim ka jeta! Sa fuqi dhe ç’burim është Jeta! Se vetëm syt e ty shkruhen dhe llamburitin ligjet e fuqishne të Jetës… dhe këtë ta them duke u betuar në llahtarin e ëmbël dhe të tmerrshme të valles që zemra ime kërcen në hapësirën e kësaj ndarje tragjike - që vet e ty, forca e tyre dhe kushtrimi i tyre më thoshin: “Jeto!”. PO ç’e do! Të jetosh me shekuj lark syve të tu, thoshin disa se me distancën e kohës humbite dhe fuqia magjike që kërcënon dëshpërimin dhe mortjen! Dhe ja ku po ta them: këjo nuk është e vërtetë! E vërteta është se duke u ndritur me shekuj prej syve të tu, drita e tyre, përdita shtohet e shtohet sa arrin që të shkrijë hekura dhe errësirë dhe çdo gjë që prek e shoh të më duket: Jetë! Mjerë ata që nuk drejtohen nga sy të tillë! Dhe isha i lumtur dhe isha i mjerë! Se unë nuk desha të çkëputesha nga syt e ty! Syt e tu më kanë puthur me ëmbëlsinë dhe nanurisjen e syve të tu! Po unë desha t’i shikoja edhe një herë! Edhe një herë! Çdo njeri para se të shuhet nga lista e të gjallëvet ka të drejtë të kërkoj diçka… (është një traditë që meriton të përmendet! Po si?....Kalonin dit’ e netë! Çaste dhe shekuj!“Ah ta shihja është njëherë! Ta shikoja pakëz…!”…dhe nëse do të ketë njerëz dhe ka që thonë: “E ç’kuptim ka plotësoç një dëshirë, kurse çdo gjë ka marrë fund?! “Unë këtyre u përgjigjem: “E ç’kuptim ka për ju jeta kurse nuk e jetoni?”. Ose edhe: “Ç’kuptim ka për ju vdekja, kurse nuk kini jetuar?” e di: kalojnë ditë dhe kalojnë netë dhe gjithnjë digjem e përvëlohem të dëgjoj një herë zërin tënt! Se zëri yt është kënga e Jetës, është sinfomia e ëndrrave të mia! Po ç’e do! Kalojnë muaj dhe vjetë dhe shekuj! Ti tani flet e she, e punon, e ëndërron… Siç flasin burimet maleve, siç shohin yjt e qiellit, siç punon zemëra e Botës, siç është agimi i jetës... dhe unë këtu pas pulsin e frymës sate se nën rithmin e tij akoma e mbaj lart flamurin e Jetës! “Të të shoh edhe një herë, po pastaj le të vdes!” se kam frikë që nuk do të tretem po s’të pash edhe një herë. E di o Safolina ime, se forca e Dashurisë s’matet as me lotët, as me këngët, as me trimërit e rrëmbimeve… po me numrin dhe dragën e lenteve të syve që dashurohen, bile edhe me ngjyrën e tyre. Ja, për shembull, se ç’janë për mua sytë e tu: ato s’madhojnë edhe rrudhat më të holla të ballit të Jetës. Ato ndriçojnë edhe palcën e errësirës, ato shkurtojnë dhe trevat ku ra ç’katërrimi, ato çdo gjejë i japin ngjyrën e krijimit… ato s’busin, pajtojnë, ëndërrojnë... të bëjnë të jeç krenar që je njeri dhe të drejtojnë për në brigjet e Triumfit të Jetës! Me ato sy pashë horizonte të pakufishme mijëra-ngjyrash, mijëra-agimesh, mijëra-shpresash, mijëra-tingujsh!... ah dhe për këtë unë sa dëshiroj t’i shoh edhe një herë, se me to unë do të shoh bukurin’e fundit të kësaj toke të bikur, me to unë do të shohë për herën e fundit ngjyrat e jetës që thonë: “Sa yj fshihen akoma, sa lule fshihen akoma! Dhe ti sa gjurmë të bukura munt të lije me këtë arenë të pasosur të krijimit!” dhe ja! Një ditë prilli- pas afro një viti- Ti me sefer-taset në dorë, ishe në derën e burgut dhe unë nga cepi, nga një cep i vogël i dritares përkundruall derës së oborrit, të PASH! TE PASH! TE PASH!.... PASH SAFOLINEN TIME! Dhe gjaku, dhe fryma dhe JETA nisi të marrë mijëra tinguj e mijëra ngjyra! Tinguj që këndonin hymne malli e dëshire, gëzimi e dëshpërimi - tinguj Dashurie! Ngjyra që hekurat i bënin lule, muret i bënin qiej të pafunt dhe çimenton oqeane! Ngjyra që çdo gjëje i veshnin me petkun e ëmbël të dashurisë! Dhe unë TE PASH! Ti qëndroje kokë-ulur! Ti shikoje brenda dhe sytë të depërtonin mure dhe hekura dhe unë nëpërmjet tyre NISA PRAPË TË SHIKOJA JETËN! Dhe kështu 23 prilli 1948 u bë edhe kjo një datë e shënuar e Jetës sime! Dhe pastaj përditë… [përditë… ah si e prisja unë atë orë, aty nga një cep i dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra, unë SHIKOJA SAFOLINEN TIME! Dhe sa i lumtur dhe sa i mjerë isha!